Secondary Adv

500 mln lekë për shëtitoren Himarë-Potam, projekti sjell pika panoramike dhe hapësira të gjelbra

Bashkia Himarë hap garën për shëtitoren Himarë-Potam, me fond limit 500 mln lekë dhe ndërhyrje në vijën bregdetare.

Bashkia Himarë ka shpallur hapjen e garës për ndërtimin e pedonales Spile-Saraçinko, me fond limit 500 milionë lekë. Sipas dokumentit të publikuar në Agjencinë e Prokurimit Publik, projekti parashikon një ndërhyrje me rëndësi strategjike për strukturimin e vijës bregdetare dhe krijimin e një korridori publik, funksional, të aksesueshëm dhe cilësor në shërbim të komunitetit dhe vizitorëve. Projekti parashikon ndërtimin e shëtitores Himarë-Potam, me qëllim përmirësimin e hapësirave publike dhe rritjen e potencialit turistik të territorit.


Pika panoramike dhe një mol i ri

Në dokument theksohet se projekti është konceptuar si një ndërhyrje urbane dhe bregdetare, ku krahas shëtitores do të përfshihen edhe elemente të reja të infrastrukturës publike. Pjesë e tij do të jenë pika panoramike, të konceptuara si hapësira ndalese dhe vëzhgimi, prej nga vizitorët do të mund të shijojnë pamjen e detit dhe peizazhit të Himarës.



Një tjetër komponent i rëndësishëm është sistemimi i bregdetit dhe zonës së plazhit. Ndërhyrja synon përmirësimin e kushteve funksionale, estetike dhe mjedisore, duke garantuar një përdorim më të qëndrueshëm dhe të kontrolluar të hapësirës bregdetare. Projekti parashikon gjithashtu krijimin e një moli, i cili do të shërbejë si element funksional dhe rekreativ, duke rritur aksesin ndaj detit dhe mundësitë për zhvillimin e aktiviteteve bregdetare.


Shëtitorja do të ndërtohet me një standard të unifikuar

Sipas dokumentit teknik, gjendja aktuale e aksit Himarë-Potam paraqitet e fragmentuar. Shtrimi ndryshon nga një segment në tjetrin dhe përfshin beton, asfalt, pllaka të parafabrikuara dhe sipërfaqe të pashtruara. Shëtitorja e re do të konceptohet sipas një standardi të unifikuar, me synim garantimin e aksesueshmërisë për të gjithë përdoruesit.


Projekti parashikon gjithashtu strukturimin e hapësirave të gjelbra, përmirësimin e zonave të pushimit dhe krijimin e brezave të gjelbërimit dhe hijëzimit. Shëtitorja synon të krijojë një lidhje më funksionale mes qytetit, plazhit dhe peizazhit natyror, duke përmirësuar njëkohësisht cilësinë e hapësirave publike dhe përvojën e banorëve dhe turistëve.


Ndërhyrja përgjatë aksit Himarë-Potam do të shërbejë jo vetëm si infrastrukturë për lëvizjen këmbësore, por edhe si një hapësirë e re publike për rekreacion dhe aktivitet social, duke synuar rritjen e potencialit turistik të zonës.


Burimi: Scan


Më të lexuarat